Ligj i ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës
Fletorja Zyrtare nr. 43, datë 9 mars 2017
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më datë 23.2.2017, miratoi ligjin nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, ligj i cili përcakton të drejtat dhe mbrojtjen që gëzon çdo fëmijë, mekanizmat dhe autoritetet përgjegjëse, që garantojnë me efektivitet ushtrimin, respektimin, promovimin e këtyre të drejtave, si dhe mbrojtjen e veçantë të fëmijës.
Ligji mbart qëllimin e mbrojtjes së fëmijës nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional të cilat synojnë garantimin e mirëqenies dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijës, përmes marrjes së masave për të siguruar jetesën, mbijetesën, zhvillimin, si dhe ushtrimin e të drejtave të tij, duke parashikuar kështu mekanizma efektive dhe duke ngritur një sistem të integruar e funksional të mbrojtjes i cili parandalon të gjitha format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit të fëmijës.
Ky ligj zbatohet për fëmijën me shtetësi shqiptare, pa shtetësi ose me shtetësi të huaj, i cili ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe gjithashtu fëmijën me shtetësi shqiptare, i cili ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, gjithnjë duke iu nënshtruar parimit të interesit më të lartë të fëmijës, që nënkupton të drejtën e fëmijës për të pasur një zhvillim të shëndetshëm fizik, mendor, moral, shpirtëror e social, si dhe për të gëzuar një jetë familjare e sociale të përshtatshme për të.
Së pari, ligji sanksionon si parim themelor të tij atë të interesit më të lartë të fëmijës, si dhe rendit të drejtat themelore që i garantohen fëmijëve si e drejta e jetës, e drejta për të pasur një emër, shtetësi, për të njohur prindërit dhe ruajtur identitetin, e drejta për të qëndruar me prindërit, e drejta për ribashkim familjar etj.
Në kreun e dytë ligji i ri përcakton mekanizmat institucionalë për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës. Organet e ngarkuara nga ligji në fushën e mbrojtjes së fëmijëve janë Këshilli Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki si dhe njësia për mbrojtjen e fëmijës. Në këtë kre përcaktohen detyrat dhe të drejtat e organeve të mësipërme si dhe roli i pushtetit vendor në mbrojtjen e fëmifëve.
Në vijim ligji përmban dispozita në lidhje me masat konkrete të mbrojtjes së fëmijës duke trajtuar në një kre të vecantë masat e mbrojtjes për kategori të caktuara fëmijësh si fëmijët e abuzuar, neglizhuar, keqtrajtuar dhe dhunuar.
Rëndësi të vecantë ligji i ri i jep dhe dispozitave në lidhje me monitorimin dhe raportimin mbi respektimin e të drejtave të fëmijëve duke përcaktuar si persona të cilët kanë detyrimin për të raportuar mbi cdo rast të dyshuar apo të ndodhur, abuzimi,neglizhimi apo shfrytëzimi të fëmijës cdo person fizik ose juridik që ka informacion, cdo punonjës të institucioneve publike dhe private, që vihet në kontakt me fëmijët për shkak të profesionit, mësuesit dhe ofruesit e shërbimit psiko-social, punonjësit e institucioneve shëndetësore apo të përkujdesjes së fëmijës etj.