Ngritja e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike
Fletorja Zyrtare nr.39, datë 7 mars 2017
Më datë 22.2.2017, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr.141 ‘’Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike’’ përmes të cilit vendoset krijimi i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, si institucion qendror buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve elektronike.
Autoriteti ka si objekt të veprimtarisë së tij mbikëqyrjen dhe zbatimin e legjislacionit në fuqi në fushën e nënshkrimit elektronik, identifikimin elektronik e shërbimeve të besuara, si dhe legjislacionit në fuqi në fushën e sigurisë kibernetike.
Ndër detyrat kryesore të Autoritetit të përcaktuara në këtë vendim janë:
- Garanton sigurinë për shërbimet e besuara, në veçanti për garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në transaksionet elektronike ndërmjet qytetarëve, biznesit dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin e shërbimeve publike e private dhe tregtisë elektronike;
- Përcakton rregullat për skemat e identifikimit elektronik, vulat elektronike, transferimin e detyrave të shërbimeve të besuara, shërbimin e transmetimit elektronik, autentifikimin e faqeve të internetit;
- Përcakton rregullat dhe metodat për verifikimin e vlefshmërisë së produkteve të gjeneruara nga shërbimet e besuara, vendase dhe të huaja, duke mundësuar aksesin publik për kontrollin e vlefshmërisë së tyre nëpërmjet listave të besuara të vendeve anëtare të BE-së dhe protokollin on-line të statusit të certifikatave dhe listave të revokimit të certifikatave;
- Krijon dhe mirëmban listat e besuara në nivel kombëtar;
- Miraton formën dhe përmbajtjen e marrëveshjeve, midis ofruesit të kualifikuar të shërbimit të besuar dhe palëve të treta, në rast të transferimit të shërbimit;
- Mbikëqyr dhe kontrollon palët e treta, në rastin kur transferohen një ose më shumë nga detyrat e shërbimeve të besuara;
- Realizon kontrollin/monitorimin e zbatimit të standardeve dhe procedurave të lëshimit të certifikatave të kualifikuara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar;
- Garanton kushtet për konkurrencën e lirë, ndërmjet ofruesve të kualifikuar të shërbimeve të besuara etj.
Së fundi, vendimi përcakton detyrat kryesore të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të cilat janë:
- Përgatit analiza, raporte dhe bën propozime për mbarëvajtjen e punës së strukturave në varësi të tij.
- Drejton, përpunon programin vjetor për angazhimet e drejtorive dhe përcakton prioritetet në punën e tyre.
- Raporton në mënyrë periodike mbi veprimtarinë e institucionit pranë ministrit përgjegjës.
- I propozon ministrit përgjegjës të fushës ndërmarrjen e nismave ligjore për plotësimin dhe përmirësimin e kuadrit ligjor në fuqi.
- Merr masa për administrimin e frytshëm të burimeve njerëzore, të mjeteve financiare e të burimeve materiale të institucionit.