Shtesa dhe ndryshime në vendimin “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”
Fletorja zyrtare nr. 2, datë 16 janar 2017
Më datë 11.1.2017, me vendimin nr. 8 Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Së pari, pas nenit 5 shtohet neni 5/1 i cili përcakton të drejtën për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës ose pjesëve të një ndërtese. Sipas këtij neni personat e tatueshëm mund të ushtrojnë të drejtën të zgjedhin të aplikojnë dhe të paguajnë TVSH-në për furnizimin e ndërtesës ose pjesëve të një ndërtese, duke e trajtuar furnizimin jo si të përjashtuar, por si furnizim të tatueshëm me shkallën standarde të TVSH-së prej 20%. E drejta e zgjedhjes ushtrohet për ndërtesat ose pjesë të ndërtesës, të cilat furnizohen (shiten) për qëllim përdorimi për veprimtarinë ekonomike të blerësit, subjekt i regjistruar, ose për qëllime rishitjeje prej tij, por jo për banim.
Në vijim pas nenit 6 ky akt shton nenin 6/1 i cili trajton modalitetet dhe rregullat e ushtrimit të së drejtës për të zgjedhur aplikimin e TVSH-së për furnizimin e ndërtesës. Sipas këtij neni personi i tatueshëm ushtron këtë të drejtë duke paraqitur pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore një deklaratë me shkrim, ku deklaron se furnizimi i ndërtesës do të trajtohet si furnizim i tatueshëm me TVSH 20%. Kjo deklaratë, e cila formalizon qëllimin e personit të tatueshëm për të aplikuar regjimin normal të TVSH-së për furnizimin e ndërtesës, përmban të dhënat për çdo ndërtesë/ambient, të dhënat identifikuese të personit të tatueshëm blerës (emri, NIPT-i adresa etj.) si dhe të dhënat mbi lejen e ndërtimit dhe qëllimin e përdorimit të ndërtesës.
Së fundi, shtohet neni 7/1 pas nenit 7 i cili trajton të drejtën e zbritjes së TVSH-së kur ushtrohet zgjedhja për furnizimin e ndërtesave. Në lidhje me të drejtën e zbritjes së TVSH-së, për çdo ndërtesë ose grup ndërtesash që janë përfshirë për t’u trajtuar si të tatueshme ose për çdo ndërtesë ose grup – ndërtesash të cilat i furnizon si të përjashtuara nga TVSH-ja, furnizuesi duhet të evidentojë veçmas zbritjet e TVSH-së për secilën nga ndërtesat ose grup – ndërtesat.