Udhëzim për dokumentacionin e aplikimit për licencë dhe procedurat e inspektimit, pezullimit dhe/ose shfuqizimit të licencës për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë së udhëtimit dhe operatorit turistik
Fletorja Zyrtare nr.39, datë 7 mars 2017
Më datë 11.1.2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nxorri udhëzimin nr. 179 me anë të të cilit përcakton procedurat në lidhje me marrjen,inspektimin, pezullimin dhe shfuqizimin e licencës për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë së udhëtimit dhe operatorit turistik.
Sipas udhëzimit veprimtaria e agjencisë së udhëtimit dhe ajo e operatorit turistik do t’i nënshtrohen pajisjes me licencë dhe për pajisjen me këtë licenc, personat fizikë ose juridikë duhet të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dokumentacionin e kërkuar sipas kreut 1 të udhëzimit.
Kreu 2 i udhëzimit trajton inspektimet, të cilat kryhen nga inspektorati përgjegjës për turizmin, dhe konsistojnë në kontrollin e zbatimit të kritereve dhe kushteve të licencimit dhe ushtrimit të veprimtarisë, rastet e pezullimit të lincencës, si dhe rastet kur inspektorati vendos shfuqizimin e licencës për ushtrimin e aktivitetit në fushën e turizmit.
Ministri për zbatimin e këtij udhëzimi cakton Drejtorinë e Përgjithshme të Zhvillimit të Turizmit, Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe Inspektoriatin.