Agjencia e Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian

Fletorja Zyrtare nr. 185, datë 5 tetor 2016

 

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes ligjit nr.90, datë 15.9.2016 ‘’Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës, akredituar nga Bashkimi Evropian, në Republikën e Shqipërisë’’ vendos krijimin dhe përcakton mënyrën e organizimit dhe funksionimit, detyrat dhe kompetencat e Agjencisë së Auditimit të Programeve të Asistencës nga Bashkimi Evropian në Republikën e Shqipërisë.

Fillimisht përcaktohet si objekt i veprimtarisë së saj auditimi për sistemet e menaxhimit dhe kontrollit për veprimet, transaksionet dhe llogaritë vjetore të mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, për fondet para dhe pas anëtarësimit. Në ligj theksohet pavarësia financiare dhe funksionale e Agjencisë si autoritet auditues i IPA i cili ka qëllim themelor koordinimin e ndihmës gjithëpërfshirëse parashikuar për fazën e para-aderimit, nën një korrnizë të vetme, si dhe bashkimin e shteteve kandidate për anëtarësim dhe shteteve potencialisht kandidate për anëtarësim (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi) nën një rregullativë të vetme.

Auditimet e Agjencisë mbulojnë fushat e pajtueshmërisë, ligjshmërisë e të rregullshmërisë, menaxhimin financiar të fondeve të asistencës nga BE dhe përdorimin me efikasitet të këtyre fondeve. Subjekte të këtyre auditimeve ligji përcakton njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe vendore, individë dhe persona juridikë privatë dhe OJF që përfitojnë fonde nga IPA osë që u kërkohet të kryejnë veprimtari që rrjedhin prej financimit nga IPA.

Në kreun e dytë përcaktohet statusi i Agjencisë, funksionet, buxheti, kompetencat, struktura organizative dhe drejtuese përfshirë kriteret e emërimit dhe kushtet e papajtueshmërisë së të emëruarve në organet e Agjencisë.

Kreu i tretë përcakton llojet e auditimeve dhe përshkruan të drejtat dhe detyrimet e Agjencisë.