Fillimi i procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe Ngritja e Komisionit ad-hoc

Fletorja zyrtare nr. 257, datë 5 janar 2017

Me urdhrin nr. 115 datë 1.12.2016, Ministri i Financave vendosi  fillimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe ngritjen e Komisionit ad-hoc, i cili ka për detyrë shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidatët për anëtar si dhe hartimin e listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore

Së pari, urdhri rendit detyrat kryesore të anëtarëve të rinj që do të zgjidhen, të cilat janë:

a) mbikëqyrin kontrollin e cilësisë;

b) mbikëqyrin, monitorojnë dhe vlerësojnë zbatimin e procedurave të testimit dhe regjistrimit të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese;

c) mbikëqyrin programet dhe kualifikimin e vazhdueshëm profesional të audituesve ligjorë;

ç) miratojnë rregulloret e investigimit dhe të procedurave për marrjen e masave disiplinore;

d) miratojnë programet vjetore të punës dhe raportet e veprimtarive të Bordit;

dh) shqyrtojnë dhe marrin vendim për rastet e shkeljeve disiplinore, që janë kompetencë e Bordit;

e) shqyrtojnë dhe marrin vendime për aspekte apo çështje të tjera, të parashikuara në ligjin nr. 10091, datë 5.3.2009, “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar”, i ndryshuar, që janë brenda objektit të veprimtarisë së Bordit.

Gjithashtu, kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere si:

a) të kenë shtetësi shqiptare;

b) të kenë integritet moral dhe profesional;

c) të mos jenë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

ç) të zotërojnë, të paktën, diplomë “Master i shkencave” apo të barasvlershëm me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe 10 vite përvojë, ose një gradë apo titull shkencor dhe 7 vite përvojë pune në çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit;

d) të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

Në vijim urdhri përcakton dokumentacionin e nevojshëm të cilin kandidatët duhet ta paraqesin pranë Ministrisë së Financave. Pranimi i dokumentacionit duhet të bëhet brenda 15 ditësh pune nga data e publikimit të urdhrit në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, Qendrën e Botimeve zyrtare dhe në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik.

Për shqyrtimin e dokumentacionit të paraqitur nga kandidatët për anëtar si dhe hartimin e listës së kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore urdhri ngarkon një Komision ad-hoc, anëtarët e të cilit në bazë të vlerësimit, i rekomandojnë Ministrit të Financave emërimin e kandidaturave, brenda 10 ditëve pune nga data e mbylljes së afatit të dorëzimit të dokumentacionit nga kandidatët.