Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Diasporës
Fletorja Zyrtare nr. 232, datë 28 dhjetor 2017
Më date 18.12.2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës” që përcakton krijimin, misionin, organizimin dhe funksionimin e kësaj të fundit. Agjencia Kombëtare e Diasporës ka për mision zhvillimin dhe konsolidimin e bashkë- punimit institucional me diasporën, nëpërmjet: a) përmirësimit të pozitës së diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të saj, aty ku gjendet; b) ofrimit të ndihmës për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore kombëtare; c) nxitjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës; ç) bashkëpunimit për prosperitetin, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror të të gjithë kombit. Detyrat e Agjencisë të përcaktuara në këtë ligj janë:
- Merr masa për krijimin e bazës unike të të dhënave të diasporës, në bazë të vullnetit të lirë të personit. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
- Zbaton politika dhe projekte që lidhen me diasporën.
- Përgatit raporte periodike për veprimtarinë e Agjencisë, të cilat ia paraqet për miratim ministrit përgjegjës për diasporën.
- Përgatit dhe koordinon punën për hartimin dhe rishikimin e Strategjisë Kombëtare për Diasporën dhe ndjek zbatimin e saj.
- Mban lidhjet ndërmjet diasporës, përfaqësuesve të saj dhe vendit të origjinës.
- Përgjigjet për funksionimin dhe menaxhimin financiar të Agjencisë.
- Bashkëpunon dhe koordinon aktivitetet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit, për përmirësimin e pozitës së diasporës në botë.
- Ndihmon në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, vlerave kombëtare dhe kulturore të diasporës.
- Informon diasporën mbi proceset politike në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, eko- nomike dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë.
- Administron asetet që ka në dispozicion.