Ligj i ri për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme

Fletorja Zyrtare nr. 26, datë 20 shkurt 2017

Më datë 2.2.2017, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, më atë të të cilit krijohet kuadri ligjor për nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme të energjisë (BRE).

Qёllimi i kёtij Ligji ёshtё tё krijojё kuadrin pёr rritjen e pёrdorimit të prodhimit tё Burimeve të Rinovueshme të Energjisë pёr tё siguruar njё zhvillim tё qёndrueshёm nё Republikёn e Shqipёrisё dhe në përputhje me detyrimet e vendit nё kuadёr tё TKE-së; të zvogëlojë importin e lëndëve djegëse organike, emetimin e gazeve me efekt serrë dhe të mbrojë mjedisin; të nxitё zhvillimin e tregut tё energjisё elektrike nga burime të rinovueshme dhe integrimin e tij; të rritë diversifikimin e përdorimit të burimeve të energjisë dhe sigurinë e furnizimit me energji në Republikën e Shqipërisë; si dhe të nxitë zhvillimin rural e të zonave të izoluara, duke përmirësuar furnizimin me energji të tyre.

Në funksion të këtij qëllimi, Ligji përmban dispozita me anë të të cilave përcaktohen objektivat kombëtarë për energjinë e rinovueshme të prodhuar nga burimet e rinovueshme në konsumin përfundimtar bruto të energjisë, gjithashtu dhe masat për arritjen e këtyre objektivave me anë të Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Rinovueshme të Energjisë, të përgatitur dhe të monitoruar nga agjencia pёrgjegjёse pёr energjinё e burimeve tё rinovueshme. Pёrmes agjencisё pёrgjegjёse pёr BRE-të, sigurohet qё informacioni rreth pёrfitimeve, kostove dhe hollёsive praktike tё zhvillimit të tyre, si dhe rreth masave mbёshtetёse bёhet i disponueshёm pёr tё gjithё aktorёt e tregut duke parashikuar gjithashtu detyrimin e subjekteve që konsumojnë dhe prodhjonë BRE për të dorëzuar tabelat e bilancit tё prodhimit vjetor tё energjisё pranë saj.

Në vijim, për sa i përket masave mbështëse për prodhimin e energjisё elektrike nga burimet e rinovueshme parashikohet se mbёshtetja pёr prodhuesit me përparësi të energjisё elektrike, përveç rasteve të përcaktuara në mënyrë specifike në këtë ligj jepet nёpërmjet një procesi konkurrues tenderimi, e dhënë në formёn e njё shpёrblimi pёr arritjen e çmimit tё caktuar, si shtesё e çmimit tё referencës, duke specifikuar se për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme nën 2 MW nuk zbatohen të njëjtat kushte zbatohen pёr prodhuesit me kapacitet tё instaluar mё tё vogёl se 2 MW ose pёr projektet demonstruese, ku pёrjashtimi aplikohet pёr kapacitete tё instaluara tё energjisё elektrike prej 3 MW ose pёr 3 njёsi prodhimi.

Operatori i Energjisë së Rinovueshme është operatori i tregut i cili do të faturojë dhe do të mbledhë pagesat për detyrimin për energjinë e rinovueshme, i cili së bashku me OSSH-në detyrohet tё ndёrmarri hapat e duhur pёr tё zhvilluar infrastrukturёn e rrjetit tё transmetimit e tё shpёrndarjes, rrjetet inteligjente, impiantet e depozitimit dhe sistemin e energjisё elektrike.

Së fundi, vendoset se përmbushja e detyrimeve kombёtare pёr energjinё e rinovueshme për qёllimet e pёrdorimit tё energjisё prej burimeve tё rinovueshme nё tё gjitha llojet e transportit, sipas objektivave kombёtarë pёr pёrdorimin e burimeve tё rinovueshme tё energjisё nё pёrputhje me nenin 4 tё kёtij ligji, realizohet nëpërmjet legjislacionit për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme për transport.