Ligj për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë
Fletorja Zyrtare nr. 43, datë 9 mars 2017
Kuvendi i Shqipërisë, më datë 16.2.2017, miratoi ligjin nr. 15/2017 “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka si qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues, pёr përshtatjen e tij me programin e ri të qeverisё, nё bazё tё tё cilit do tё riorientohen tёrёsisht arsimi dhe formimi profesional drejt nevojave reale tё tregut dhe kthimi i shtetit nё financues e mbёshtetёs kryesor tё aftёsimit profesional.
Ligji përcakton parimet themelore të ofrimit, qeverisjes, financimit dhe menaxhimit të arsimit dhe të formimit profesional (AFP); rregullon aspektet e këtij sistemi në përputhje me sistemin e përgjithshëm arsimor dhe tregun e punës duke përcaktuar misionin dhe objektivat kryesorë të këtij sistemi si dhe duke përcaktuar rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve publike dhe subjektet e tjera përgjegjëse për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e aspekteve të AFP-së.
Sipas nenit 6 të tij, sistemi i AFP-së përbëhet dhe administrohet nga institucione publike që veprojnë në nivel qendror dhe lokal, duke përfshirë edhe ofruesit e AFP-së. Institucionet kryesore përgjegjëse për sistemin e AFP-së në Shqipëri përcaktohen të jenë ministria përgjegjëse për AFP-në, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe Kualifikimeve, ku përkatësisht Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është përgjegjëse për të gjitha aspektet e menaxhimit që lidhen me ofruesit publikë të AFP-së, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe Kualifikimeve, për krijimin e sistemit kombëtar të kualifikimeve profesionale dhe zhvillimin e vazhduar profesional të mësuesve.
Në vijim, ndër institucionet ofruese të AFP në Shqipëri, parashikohen shkollat e mesme profesionale, qendrat shumëfunksionale të AFP-së, institucionet e specializuara të AFP-së për grupet e veçanta, kompanitë, institucionet e tjera të licencuara dhe/ose të akredituara ose individët. Është pikërisht Bordi Drejtues i ofruesve publikë të AFP-së, organi kolegjial i cili merr vendime për drejtimin e përgjithshëm strategjik, planifikimin e përgjithshëm dhe përdorimin e burimeve njerëzore, financiare, materiale dhe fizike dhe të mbështet aktivitetin e administrimit të ofruesve publikë të AFP-së në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm.
Së fundmi, një tjetër aspekt i rëndësishëm që gjen shprehje në këtë ligj është sigurimi i cilësisë, si një proces i vazhdueshëm që synon të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të AFP-së. Ky proces përfshin: licencimin, akreditimin dhe inspektimin e ofruesve të AFP, vetëvlerësimin, monitorimin dhe raportimin nga ofruesit e AFP-së, si dhe një vlerësim në intervale të caktuara të të gjithë sistemit të AFP-së nëpërmjet institucionit përkatës për AFP-në.