Ligji për ndihmën juridike të garantuar nga shteti

Fletorja Zyrtare nr. 241, datë 9 janar 2018

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, më datë 14.12.2017, miratoi ligjin nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili ka si qëllim të krijojë një sistem për organizimin dhe ofrimin e ndihmës juridike falas për të siguruar akses të barabartë të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë; të sigurojë mirorganizimin, miradministrimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e ndihmës juridike; të sigurojë ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike në mënyrë profesionale, cilësore, efiçente dhe efektive. Me qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore të individit dhe të interesave të ligjshëm të tij, ky ligj përcakton parimet, format, kushtet, procedurën dhe rregullat për organizimin dhe administrimin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti. Institucionet përgjegjëse për administrimin dhe funksionimin e sistemit të ndihmës juridike, sipas nenit 6, janë Ministri i Drejtësisë, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe gjykatat kompetente, sipas parashikimeve të këtij ligji. Në vijim, ligji përcakton subjektet që kanë të drejtë për të përfituar ndihmë juridike falas në format e ndihmës juridike parësore, ndihmës juridike dytësore ose përjashtimit nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas ligjit, dhe përjashtimit nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit. Konkretisht, ndihma juridike parësore jepet nga punonjësit me trajnim të posaçëm të punësuar pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore, nga organizatat jofitimprurëse të autorizuara, si dhe nga klinikat ligjore të ngritura pranë institucioneve të arsimit të lartë, ndërsa ndihma juridike dytë- sore jepet nga avokatët që përfshihen në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë. Së fundi, ligji përcakton afatet brenda të cilave duhet të ngrihen Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas dhe Qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore. Ky ligj hyn në fuqi më 1 qershor 2018.