Miratim i Kodit Hekurudhor të Republikës së Shqipërisë

Fletorja zyrtare nr. 265, datë 12 janar 2017

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 22.12.2016 vendosi të miratojë ligjin nr. 142/2016 “Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë”.

Ky kod ka si qëllim kryesor:

a) krijimin e një kuadri ligjor të favorshëm dhe të qëndrueshëm për nxitjen dhe zhvillimin e transportit hekurudhor bashkëkohor në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b) zhvillimin e një transporti hekurudhor efikas dhe konkurrues me llojet e tjera të transportit;

c) organizimin dhe funksionimin e sektorit hekurudhor në bazë të parimeve të ndarjes së administrimit dhe ndarjes së llogarive midis infrastrukturës hekurudhore dhe veprimtarive të transporteve hekurudhore;

d) zhvillimin dhe përmirësimin e sigurisë në hekurudhë dhe të qasjes në treg për shërbime të transportit hekurudhor nëpërmjet:

i) krijimit të një Autoriteti Rregullator Hekurudhor, një Autoriteti të Sigurisë Hekurudhore, një Autoriteti Licencues Hekurudhor dhe një Autoriteti Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore, duke përcaktuar qartë mënyrën e ndërveprimit të tyre;

ii) zhvillimit dhe realizimit të objektivave të përbashkët të sigurisë dhe metodave të përbashkëta të sigurisë, me qëllim harmonizimin e rregullave kombëtare.

Kodi Hekurudhor i Republikës së Shqipërisë përcakton rregullat e zbatueshme për administrimin e infrastrukturës hekurudhore dhe të aktiviteteve të transportit hekurudhor të sipërmarrësve hekurudhorë dhe operatorëve, kriteret e zbatueshme për Autoritetin Rregullator Hekurudhor, Autoritetin e Sigurisë Hekurudhore, Autoritetin Licencues Hekurudhor dhe për Autoritetin Kombëtar të Investigimit të Aksidenteve dhe Incidenteve Hekurudhore si dhe parimet dhe procedurat e zbatueshme për vendosjen dhe mbledhjen e tarifave të infrastrukturës hekurudhore dhe ndarjen e kapaciteteve të infrastrukturës hekurudhore.