Miratim i kushteve dhe procedurave për ndërtimin e linjave direkte

Fletorja Zyrtare nr. 15, datë 2 shkurt 2017

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 52, datë 25.1.2017 vendosi miratimin e kushteve dhe të procedurave për ndërtimin e linjave direkte në sektorin e energjisë elektrike.

Së pari, sipas vendimit cdo subjekt i regjistruar si person juridik, mund të aplikojë për ndërtimin e një linje direkte, duke u bazuar në parimet e mosdiskriminimit, trajtimit të barabartë dhe të transparencës. Linja direkte duhet të jetë në pronësi dhe/ose operohet nga një person juridik, i cili është i ndarë ligjërisht nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes dhe/ose Operatori i Sistemit të Transmetimit. Të gjitha shpenzimet e bëra për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe operimin e një linje direkte duhet të përballohen nga personi juridik. Për sa i përket operimit të një linje direkte, nuk ka nevojë për ndonjë licencë të lëshuar nga ERE.

Së dyti, vendimi përcakton kriteret dhe procedurat për ndërtimin e linjave direkte për furnizimin me energji brenda territorit të Shqipërisë. Sipas tij linjat direkte të cilat ndërtohen për lidhjen e një prodhuesi brenda vendit me një konsumator brenda vendit apo një shoqëri furnizimi që furnizon mjediset e veta apo klientët e vet të kualifikuar, miratohen nga ministri i Energjisë dhe Industrisë, pas marrjes së mendimit të ERE-s.

Në vijim vendimi përcakton dokumentacionin e nevojshëm që subjekti duhet duhet të paraqesë kur bën një kërkesë për ndërtimin e një linje elektrike. Për të vlerësuar nëse kërkesa e subjektet plotëson të gjitha kushtet dhe përmban dokumentacionin e kërkuar në bazë të vendimit, Ministri miraton me urdhër ngritjen e një komisioni vlerësues të përbërë nga ekspertë me ekspertizën e nevojshme teknike, ekonomike dhe ligjore, punonjës të ministrisë ose të institucioneve të varësisë së Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Komisioni do të shqyrtojë dhe do të vlerësojë kërkesën brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga paraqitja e tij në ministri. Data e fillimit të shqyrtimit dhe e vlerësimit të kërkesës do të jetë data kur aplikimi konsiderohet i plotësuar.

Së fundi, vendimi përcakton se cdo person i interesuar për të ndërtuar një linjë direkte, me qëllim lidhjen e një prodhuesi të energjisë elektrike me një klient jashtë territorit të Shqipërisë, duhet të paraqesë një kërkesë në ministri. Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentacionin e përcaktuar në këtë vendim.