Miratim i ligjit për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë

Fletorja zyrtare nr. 263, datë 11 janar 2017

Më datë 22.12.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë” me anë të të cilit krijohet kuadri ligjor për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka dhe degët e bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë.

Së pari, ky ligj përmban dispozita me anë të të cilave përcaktohen rregullat, procedurat dhe instrumentet për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka dhe degët e bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë.

Së dyti ligji përcakton kompetencat dhe detyrat e autoritetit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe të autoritetit mbikëqyrës, funksione të cilat sipas ligjit do të kryhen nga Banka e Shqipërisë. Ky ligj i jep Bankës së Shqipërisë (Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) një tërësi instrumentesh ligjore, në dispozicion për të ndërhyrë në një fazë që të jetë mjaftueshmërisht e hershme dhe e shpejtë në rastin e një banke në pozita jo të shëndosha financiare dhe ekonomike me rëndësi kritike të bankës, gjithmonë duke minimizuar efektin që ka kolapsi i saj tek sistemi financiar, tek kreditorët dhe tek ekonomia e vendit në tërësi.

Së fundi, ligji përmban dispozita mbi krijimin, financimin dhe përdorimin e fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme si dhe administrimin e tij. Instrumentet e parashikuara në ligj sigurojnë që të parët që i mbajnë kostot për një kolaps eventual të bankës të jenë aksionarët dhe pas tyre kreditorët. Për këtë shkak ligji parashikon krijimin e një fondi me kontribute kryesisht të vetë bankave, i cili synohet të konsolidohet në disa vjet dhe në rast të një rreziku në përputhje me kushtet e përcaktuar në ligj të përdoret për të “shpëtuar” një apo disa banka.

Ky fond do të administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, kjo është dhe arsyeja pse preket ligji “Për sigurimin e depozitave”. Termi i përdorur në ndërhyrjen e jashtëzakonshme është “bail-in” në krahasim vetëm me ndërhyrjen shtetërore, siç ka qenë e parashikuar në ndryshimin e bërë në vitin 2012, duke përdorur para publike dhe ngarkuar tatimpaguesit me barrën e “shpëtimit” të bankave, të ashtuquajturën “bailout”. Pra ka një ndryshim të instrumentit, shumë cilësor, por edhe sigurisht më larg kostos së tatimpaguesve. Pra, në rastin konkret ofrohet një instrument pengimi me kontribut të bankave, me një fond të krijuar me kontributin e bankave ndër vite, i cili përdoret nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në bazë të procedurave të detajuara në këtë ligj.

Instrumente të tillë i japin mundësi Autoritetit të Ndërhyrjes, në rastin konkret Bankës së Shqipërisë, për të ruajtur mundësinë e pandërprerë për grumbullimin e depozitave dhe për të kryer transaksione pagesash, duke shitur pjesët rentabël të bankës kur është e nevojshme dhe për të mbuluar humbjet në mënyrë të atillë që të shmangin destabilizimin e tregut financiar dhe minimizimin e kostove për tatimpaguesit.