Miratim i ligjit për sigurinë kibernetike
Fletorja Zyrtare nr.22, datë 13 shkurt 2017
Më datë 26.1.2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr.2/2017 ‘’Për sigurinë kibernetike’’qëllimi i të cilit është është arritja e një niveli të lartë të sigurisë kibernetike, duke përcaktuar masat e sigurisë, të drejtat, detyrimet, si dhe bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet subjekteve që operojnë në fushën e sigurisë kibernetike.
Ky ligj zbatohet për rrjetet e komunikimit dhe sistemet e informacionit, cenimi apo shkatërrimi i të cilave do të kishte impakt në shëndetin, sigurinë, mirëqenien ekonomike të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të ekonomisë në Republikën e Shqipërisë.
Përjashtohen nga zbatimi i këtij ligji rrjetet e komunikimeve elektronike dhe sistemet e informacionit që janë objekt i rregullimeve ligjore në fuqi për nënshkrimin elektronik, identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, rrjetet e komunikimeve elektronike dhe sistemet e informacionit që përpunojnë, arkivojnë ose transmetojnë informacion të klasifikuar shtetëror si dhe rrjetet e komunikimeve elektronike e sistemet e informacionit, për aq sa parashikohet në legjislacionin mbi komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë.
Ligji vendos vendos ngritjen e një autoriteti i cili do të jetë organi përgjegjës në fushën e sigurisë kibernetike dhe krijimin e Ekipeve të Përgjigjes ndaj Incidenteve të Sigurisë kibernetike të cilët përbëhen nga specialistë të fushës së sigurisë kompjuterike pranë çdo operatori që administron infrastrukturën kritike të informacionit.
Së fundi ligji përmban dispozita përmes të cilave bën përcaktimin e gjendjes së krizës kibernetike dhe masat që duhen marrë në rrethana të tilla, si dhe përmban një kapitull më vete ku parashikohen sanksione administrative në rastet e kundërvajtjeve administrative dhe Autoriteti konstaton mangësi në zbatimin e masave të sigurisë, të nxjerra në zbatim të këtij ligji.