Miratimi i Programit të Statistikave Zyrtare për periudhën 2017-2021
Fletorja Zyrtare nr.37, datë 2 mars 2017
Më datë 9.2.2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi Programin e Statistikave Zyrtare për periudhën 2017- 2021, dokumenti i tretë i këtij lloji pas krijimit të Institutit të Statistikave dhe hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 9180, datë 05.02.2004 “Për Statistikat Zyrtare”.
Programi është dokumenti bazë që parashikon prodhimin e statistikave zyrtare nga Sistemi Kombëtar Statistikor të nevojshme për vëzhgimin e gjendjes ekonomike, shoqërore dhe mjedisore në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, Programi shërben për orientimin e INSTAT-it dhe agjencive të tjera statistikore drejt cilësisë së prodhimit statistikor sipas standarteve të parashikuara nga Acquis Communitaire.
INSTAT është përgjegjës për t’i propozuar Këshillit të Statistikave projekt-Programin pesëvjecar të Statistikave Zyrtare, si dhe të sigurojë zbatimin e tij, në zbatim të nenit 7, pika 2 e Ligjit nr. 9180, “Për statistikat zyrtare”.
Përcaktohet gjithashtu fakti se projekt-dokumenti mund të pësojë ndryshime, ku mbështetur në nenin 11, pika 1 e Ligjit të Statistikave, Këshilli i Statistikave mund të vendosë dhe autorizojë përditësimin vetjor të Programit vetëm në anën praktike të zbatimit të tij dhe informon Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin për modifikimet e kryera.