Ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘’Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi), të ndryshuar’’

Fletorja Zyrtare nr. 26, datë 20 shkurt 2017

Më datë 20 shkurt 2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 6/2017 i cili ka për objekt të bëjë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin në fuqi nr.7746, datë 28.7.1993, “Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, me qëllim përmirësimin e tij në drejtim të reflektimit të zhvillimeve të fundit të aktivitetit të kërkimit dhe prodhimit të hidrokarbureve në Republikën e Shqipërisë.

Më konkretisht, synohet përmirësimi i disa klauzolave të ligjit ekzistues që kanë të bëjnë me përcaktimin e procedurave që duhet të ndiqen për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure për kërkimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve, duke përfshirë si kusht edhe garantimin e sigurisë kombëtare në rastin e lidhjes apo transferimin e kuotave të marrëveshjes hidrokarbure, të cilat janë futur në bazë të koncepteve të direktivës 94/22/EC, të datës 30 maj 1994, “Për kushtet për dhënien dhe përdorimin e autorizimeve për zbulimin, kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve”.

Është realizuar ndarja më e qartë e afateve kohore që përfshihen në periudhën e kërkimit me atë të vlerësimit të një zbulimi. Po kështu, ka disa shtesa që lidhen me ndryshimin e konceptit të klauzolave të stabilitetit të regjimit fiskal, duke futur kufizueshmëri në kohë, e cila nuk duhet të tejkalojë afatin 12 vjet nga fillimi i prodhimit të hidrokarbureve dhe përjashtimin nga ky regjim të disa rasteve.

Shtesa janë bërë me qëllim angazhimin për ringritjen e Institutit Shkencor të Hidrokarbureve dhe ripërcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të Drejtorisë Hidrokarbure që aktualisht është pjesë përbërëse e AKBN-së, e lidhur ngushtë me ato të Institutit Shkencor të Hidrokarbureve. Për të reflektuar konceptet e reja teknike të aktivitetit hidrokarbur, por edhe për të kuptuar dhe interpretuar më mirë ligjin në tërësi është ndryshuar neni i përkufizimeve.

Një objektiv i ligjit është edhe trajtimi i marrëdhënieve të pronësisë në të njëjtën mënyrë si dhe është trajtuar në ligjin për partneritetin publik dhe privat, duke ndryshuar nenin 10 të ligjit në fuqi. Janë bërë edhe disa saktësime të tjera që lidhen me nenin 12 të ligjit ekzistues për të reflektuar situatën aktuale të aktivitetit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a.