Ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”

Fletorja zyrtare nr. 259, datë 6 janar 2017

Më datë 15.12.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin nr. 123/2016 nëpërmjet të cilit bën disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 107/2015, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara”.

Së pari, ligji ndryshon paragrafin e fundit të nenit 27 ku sipas formulimit të ri përcaktohet se rregullat për ofrimin e shërbimeve publike elektronike miratohen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.

E rëndësishme është shtesa e parashikuar pas pikës 1 të nenit 34, sipas të cilës për Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, që operojnë në vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe janë të akredituar nga autoriteti mbikëqyrës përkatës, identifikimet dhe shërbimet e besuara të lëshuara prej tyre do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese, si ato të lëshuara nga një Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar, që operon në Republikën e Shqipërisë.

Kjo shtesë në nenin 34 shpreh edhe njëherë qëllimin e Republikës së Shqipërisë për të harmonizuar dhe unifikuar legjislacionin e brendshëm me aquis communitaire të Bashkimit Europian në mënyrë që të përshpejtohet  procesi i integrimit në BE.  Konkretisht, ligji i ri bën një përafrim të pjesshëm me Rregulloren (BE) nr. 910/2014 të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 23 korrik 2014, “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm, dhe që shfuqizon Direktivën 1999/93/KE”.