Ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar

Fletorja zyrtare nr. 259, datë 6 janar 2017

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 15.12.2016 vendosi të miratojë ligjin nr. 122/2016, me anë të të cilit bën disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9880, datë 25.2.2008, “Për nënshkrimin elektronik”, të ndryshuar.

Së pari, ligji ndryshon emërtimin nga “Autoritet Kombëtar për Certifikimin Elektronik” në “Autoriteti Përgjegjës për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike”, si dhe përcakton se ky organ shtetëror është i ngarkuar për mbikëqyrjen e kuadrit rregullator, të përcaktuar në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë

Ligji bën një riformulim të nenit 10, ku shtohet pika 6 sipas të cilës Autoriteti ka të drejtë të nxjerrë udhëzime, për të rregulluar veprimtarinë e ofruesve të kualifikuar të shërbimit të besuar. Ndërsa në dallim nga ligji i mëparshëm i cili përcaktonte se organizimi dhe funksionimi i Autoritetit miratohen me vendim të Kryeministrit sipas propozimit te Ministrit, ligji i ri përcakton se miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndryshime ka pësuar edhe neni  22 i cili tashmë përcakton në mënyrë taksative, se detyrat që ofruesi i shërbimeve të certifikimit mund t’u transferojë, me marrëveshje, personave të tretë janë:

a) Procesi i identifikimit të zotëruesve të certifikatave

b) Gjenerimi i certifikatave të kualifikuara

c) Dorëzimi i pajisjes përkatëse ku ruhet certifikata e kualifikuar

Një parashikim i rëndësishëm i ligjit të ri është shtesa e bërë pas pikës 2 të nenit 54, i cili trajton pranimin dhe përdorimin e nënshkrimeve elektronike dhe produkteve të huaja, sipas të cilës Për Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, të cilët operojnë në vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe janë të akredituar nga autoriteti mbikëqyrës përkatës, identifikimet dhe shërbimet e besuara të lëshuara prej tyre do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese, si ato të lëshuara nga një Ofrues i Kualifikuar i Shërbimit të Besuar, që operon në Republikën e Shqipërisë.