Ndryshime dhe shtesa në ligjin për pronësinë industriale

Fletorja Zyrtare nr. 43, datë 9 mars 2017

Më datë 16.2.2017, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr.17/2017 ‘’ Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar’’ qëllimi i të cilit është përmbushja e detyrave të lëna në raportet e Komisionit Evropian, përmbushja e angazhimeve dhe synimeve të qeverisë shqiptare të cilat kanë të bëjnë me shkurtimin e afateve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit, rregullime dhe saktësime të problemeve të hasura nga zbatimi i ligjit aktual në praktikë, si dhe përshtatja me eksperiencat dhe praktikat e zyrave homologe ndërkombëtare.

Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet këtij projektligji janë:

  • Lehtësimi i procedurave të ekzaminimit si dhe krijimi i një mjedisi ligjor për përmirësimin e shërbimeve elektronike e të komunikimit. Krijimi i mundësisë së aplikimit on-line në funksion të lehtësimit të procedurave.
  • Krijimi i bazës ligjore për sigurimin e objekteve të PI-së si dhe për përdorimin e tyre si kolateral, me qëllim që objektet e PI-së të marrin në treg vlerën që u takon.
  • Rregullimi i disa procedurave dhe kompetencave të DPPM-së, bazuar në praktikën e kombëtare dhe atë ndërkombëtare të zbatimit të ligjit në fushën e PI-së.
  • Përcaktimi ligjor i kritereve për markat e mirënjohura.
  • Krijimi i bazës ligjore për licencimin e ekspertëve të PI-së nga DPPM-ja për nevojat e proceseve gjyqësore dhe të hetimit.
  • Krijimi i bazës ligjore për krijimin e dhomës së shqyrtimit të kërkesave për shfuqizim/zhvlerësim si dhe Dhomës për Shqyrtimin e Kundërshtimeve, si struktura brenda DPPM-së.
  • Përcaktimi i kompetencave të dhomës për shfuqizim/ zhvlerësim si dhe dhomës për shqyrtimin e kundërshtimeve.
  • Saktësimi i procedurave per regjistrimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës me qëllim eliminimin e problemeve të hasura në praktikë.
  • Rikompozimi i Bordit të Apelit si një strukturë edhe me ekspertë të jashtëm dhe pajisja e tij kompetenca të rëndësishme ligjore.
  • Rishikimi i kritereve për licencimin e përfaqësuesve të autorizuar.
  • Ndryshimi i emërtimit dhe strukturës administrative të DPPM-së nga një institucion publik buxhetor në një agjenci autonome në bazë të neneve 10 e 20, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore,” me qëllim forcimin e kapaciteteve administrative dhe financiare, si element kryesor i realizimit të misionit të saj.

Ndyshimet dhe shtesat të cilat parashikohen në këtë ligj janë kryer në funksion përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me Acquis të BE.