Ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar

Fletorja zyrtare nr. 263, datë 11 janar 2017

Më datë 22.12.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për sigurimin e depozitave”, të ndryshuar.

Fillimisht, ligji zëvendëson në çdo dispozitë termin “kujdestari” me termin “ndërhyrje e jashtëzakonshme” si dhe  frazën “ose të pjesëmarrjes së Agjencisë në shitjen e bankës ose bankën-urë” me “ose të pjesëmarrjes së Agjencisë me transferim mjetesh financiare, në përputhje me dispozitat e ligjit ‘Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë’“.

Me anë të këtij akti ndryshon dhe pika 8 e nenit 42 ku tashmë parashikohet se fondet e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin e depozitave, nuk mund të bllokohen, të sekuestrohen apo t’i nënshtrohen ekzekutimit të detyrueshëm, përveç qëllimit për të cilin janë krijuar.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është ai i parashikuar në nenin 52, pika 1 ku shkronja ‘’t’’ pas ndryshimit përmban kompetencën e Këshillit Drejtues për të vendosur për kthimin e fondit të kompensimit të depozitave në mjete likuide, për të përmbushur detyrimet ndaj depozituesve të siguruar, në rast ngjarjeje sigurimi, si dhe për pretendimin e Agjencisë për tagrat e ceduara nga kompensimi i depozituesve.

Së fundi, ndryshohet pika “c” e nenit 60 ku pas ndryshimeve mjetet financiare të Agjencisë do të përdoren për mbulimin e të gjitha shpenzimeve administrative për zbatimin e procesit të kompensimit, sipas neneve 38 e 39, të këtij ligji, si dhe për pjesëmarrjen e Agjencisë me transferim mjetesh financiare, në përputhje me dispozitat e ligjit “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë.