Ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, të ndryshuar
Fletorja Zyrtare nr.47, datë 10 mars 2017
Këshilli i Ministrave, me vendimin nr.160, datë 1.3.2017, vendosi që të bëhen disa ndryshime dhe shtesa në tekstin “Rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/partneritet publik privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, miratuar me vendimin nr. 634, datë 1.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
Fillimisht, vendimi ndryshon piken 3 të nenit 9 sipas së cilës projekti që përmbush të gjitha kushtet e pikës 1, të këtij neni, më tej paraqitet për miratim në Ministrinë e Financave, e cila e shqyrton dhe vlerëson nëse është i nevojshëm edhe miratimi i saj dhe për rrjedhojë shprehet, brenda 10 ditëve pune, nëse projekti ka ose jo efekte financiare.
Një ndryshim i rëndësishëm paraqitet në nenin 15 ku tanimë parashikohet se në rast pranimi të një propozimi të pakërkuar, propozuesit i jepet një bonus për rezultatin tekniko-financiar të arritur gjatë procedurës konkurruese deri në një maksimum prej 10% të pikëve totale të garës.
Në vijim, ndryshimi i bërë në pikën 2 të nenit 22, përcakton se Autoriteti Kontraktues, përpara dërgimit për miratim në Ministrinë e Financave të një projekti për partneritet publik privat që kërkon mbështetje financiare, duhet të garantojë që kostot përkatëse të projektit janë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar nga Kuvendi, si dhe brenda tavaneve të shpenzimeve për periudhën afatmesme, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Se fundi, vendimi përmban ndryshime të kryera në nenin 30, lidhur me krijimin e organizimin e komisonit të koncesionit/ partneritetit publik privat, të krijuar nga Autoriteti Kontraktues me funksion shqyrtimin dhe dhënien e koncesionit/ partneritetit publik privat dhe me përfaqësues nga Autoriteti Kontraktues, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe Ministria e Financave.