Ndryshime dhe shtesa në vendimin “Për dispozitat zbatuese të ligjit ‘Për akcizat’”, të ndryshuar

Fletorja zyrtare nr. 4, datë 19 janar 2017

Më datë 18.1.2017, Këshilli i Ministrave përmes vendimit nr. 28 vendosi të bëjë disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 612, datë 5.9.2012 “Për dispozitat zbatuese të ligjit ‘Për akcizat’”, të ndryshuar.

Së pari, në pikën 3 të nenit 43 ndryshon shkronja “a”. Sipas ndryshimit që i është bërë shkronjës “a”  sasia e lëndëve djegëse të konsumuara për produktet e prodhuara dhe të shitura me fatura tatimore me TVSH, llogaritet jo më shumë se normativat bazuar në kartën teknologjike sipas industrisë si dhe normativave bazuar në aneksin 10, “Tabela referuese e normativave të harxhimit të lëndës djegëse”. Vlera e akcizës së rimbursueshme nuk do të jetë më shumë se 50% e akcizës së paguar për blerjet e kryera të lëndës djegëse të përdorur për nevoja teknologjike.

I rëndësishëm është dhe ndryshimi i bërë në pikën 7 të nenit 43 i cili parashikon se autoriteti doganor nëse pas verifikimit të dokumentacionit të paraqitur, si dhe bazuar në kriteret e analizës së riskut, gjykon të nevojshme të verifikojë situatën në vend dhe/ose të ushtrojë kontroll, atëherë kjo procedurë kryhet përpara miratimit të rimbursimit. Në këtë rast kjo procedurë nuk mund të zgjasë më shumë se 30 (tridhjetë) ditë nga momenti i paraqitjes së kërkesës për rimbursim. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave harton një udhëzim të përbashkët mbi elementët e riskut për këto raste.

Në vijim, tjetër ndryshim i rëndësishëm është a i bërë pas pikës 3 të nenit 44 ku shtohen pika 4 dhe 5. Pika 4 parashikon se  përqindja maksimale e lejuar për efekt të rimbursimit të akcizës për praninë e përbërësve BIO në karburant sipas standardeve EN: 590 për gazoilin ose EN: 228 për benzinën, përkatësisht është jo më shumë se 5 (pesë) për qind. Rimbursimi aplikohet vetëm për produket e biokarburantit që mishelohen në territorin shqiptar. Ndërsa, pika 5 përcakton kushtet që duhet të zbatohen përpara se të miratohet rimbursimi, të cilat janë:

a) Biokarburanti për të cilin është kërkuar rimbursimi duhet të përdoret si lëndë djegëse në sektorin e transportit;

b) Rimbursimi i akcizës përfitohet në masën e përmbajtjes faktike, por jo më shumë se 5 % të produktit BIO në përmbajtjen e biokarburantit të deklaruar për konsum, pasi ky fakt të jetë konfirmuar nga laboratori kimik doganor dhe pas verifikimit nga autoriteti doganor.

Së fundi, një tjetër  ndryshim i rëndësishëm është ai bërë në pikën 10 të nenit 46 sipas të cilit autoritetet doganore kompetente, gjatë shqyrtimit të kërkesës për rimbursim të akcizës, kur e gjykojnë të nevojshme kryejnë, gjithashtu,veprimet e mëposhtme:

a) Krahasohen të dhënat e deklaruara me rezultatet e laboratorit doganor;

b) Kryhet kontroll në vend dhe verifikohen lëndët e para, sasitë e prodhuara dhe sasitë e shitura sipas faturave të shitjes së produktit biokarburant, inventarin, pasqyrat financiare si dhe çdo dokumentacion tjetër të nevojshëm.

c) Nëse është e nevojshme, procedura e verifikimit ose e kontrollit në vend kryhet në bashkëpunim me autoritetin tatimor të juridiksionit përkatës.