Ndryshime në dokumentacionin e aplikimit dhe procedurat e inspektimit, pezullimit dhe revokimit të licencës për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë së udhëtimit dhe operatorit turistik
Fletorja Zyrtare nr.39, datë 7 mars 2017
Më datë 13.2.2017, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes nxorri udhëzimin nr. 1192 përmes të cilit bën disa ndryshime në udhëzimin e tij të mëparshëm ‘’Për dokumentacionin e aplikimit dhe procedurat e inspektimit, pezullimit dhe revokimit të licencës për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë së udhëtimit dhe operatorit turistik’’.
Ndryshimi i parë është kryer në pikën 2 ku gërma ‘’a’’ tashmë përfshin si kërkesë për pajisjen me licencë për veprimtarinë e agjencisë së udhëtimit diplomën universitare të ciklit të parë të studimeve në fushën e turizmit/shkencave ekonomike/gjeografisë/historisë/arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore/gjuhëve të huaja të lëshuar nga universitete brenda ose jashtë Shqipërisë ose diplomën master në shkencat ekonomike/turizëm ose diplomën e lëshuar nga IATA në fushën e turizmit ose diplomën e shkollës së mesme profesionale për turizëm ose çdo diplomë kualifikimi profesional në fushën e turizmit, për drejtuesin teknik ose përfaqësuesin ligjor (administratorin). Gjithashtu, diplomat universitare të lëshuara nga universitete të huaja duhet të jenë të njohura nga Ministria përgjegjëse për Arsimin dhe dokumentet e lëshuara jashtë shtetit duhet të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të noterizuar.
Ndryshimi i dytë është ai i kryer në pikën 4, gërma ‘’a’’ sipas të cilës për pajisjen me licencë për veprimtarinë e operatorit turistik është e nevojshme diploma universitare të paktën e ciklit të parë të studimeve në fushat e turizmit/shkencave ekonomik /gjeografisë/historisë/arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore gjuhëve, të huaja të lëshuar nga universitete brenda ose jashtë Shqipërisë ose diplomën master në shkencat ekonomike/turizëm ose diplomë e lëshuar nga IATA në fushën e turizmit, për drejtuesin teknik dhe përfaqësuesin ligjor (administratorin). Për më tepër diplomat universitare të lëshuara nga universitete të huaja duhet të jenë të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin dhe diploma e lëshuar nga IATA në fushën e turizmit duhet të jetë e përkthyer në gjuhën shqipe dhe e noterizuar.