Ndryshime në ligjin “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”

Fletorja zyrtare nr. 263, datë 11 janar 2017

Më datë 22.12.2016, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë disa ndryshime në ligjin nr. 131/2016 “Për Bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Së pari, ligji shfuqizon pikat 36 dhe 37 të nenit 4 të cilat trajtojnë kujdestarinë si dhe pikën 49 të nenit 4 dhe nenet 81/1, 81/2, 81/3 dhe 81/4 të cilat trajtojnë krijimin dhe funksionimin e bankës urë, organizimin dhe drejtimin e bankës urë, mënyrën e kryerjes së veprimtarisë dhe mbylljen dhe/ose likuidimin e bankës urë.

Ndryshimi kryesor i bërë nga ky akt është ai i parashikuar në nenin 121 pika 1, i cili përcakton radhën e detyrimeve për pretendimet e pranuara të cilat shlyhen me preferencë, përveç atyre të siguruara me mjete të ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimeve si barrë siguruese ose kolateral financiar, në rastet e likuidimit të bankës ose degës së huaj. Radha për shlyerjen e këtyre detyrimeve do të jetë si më poshtë:

a) shpenzimet e domosdoshme dhe të arsyeshme, të bëra nga likuidatori, Banka e Shqipërisë (Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme) dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave;

b) kreditorët e kredive të reja të dhëna bankës ose degës së bankës së huaj pas ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe emërimit të likuidatorit;

c) depozitat e siguruara të pa kompensuara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave ose Agjencia e Sigurimit të Depozitave për pagesat e depozitave të siguruara;

d) pjesa e depozitës së sigurueshme të individëve, tregtarëve dhe shoqërive tregtare, e cila tejkalon nivelin maksimal të mbulimit nga skema e sigurimit të depozitave, si dhe depozitat që nuk kanë përfituar sipas shkronjës “c” të këtij neni;

e) detyrimet e pasiguruara me mjete të ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimeve, barrë siguruese ose kolateral financiar;

f) detyrime të nënrenditura, të cilat përmbajnë klauzola kontraktore për përcaktimin e tyre në këtë radhë të shlyerjes së detyrimeve, si dhe përmbajnë kushte të tjera, të përcaktuara nga Banka e Shqipërisë;

g) instrumentet e kapitalit të pasiguruara me mjete të ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimeve, barrë siguruese ose kolateral financiar, dhe të cilat nuk janë aksione;

h) detyrimet ndaj aksionarëve që rrjedhin nga pronësia mbi aksionet.