Ndryshime në rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion / partneritet publik privat
Fletorja Zyrtare nr.39, datë7 mars 2017
Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 146, datë 22.2.2017 vendosi të bëjë disa ndryshime në rregullat për vlerësimin dhe dhënien me koncesion / partneritet publik privat.
Ndër ndryshimet kryesore të parashikuara nga ky vendim është ai i nenit 3, pika 9 sipas të cilit Projekti që përmbush të gjitha kushtet e kërkuara nga vendimi, më tej paraqitet për miratim në Ministrinë e Financave, e cila e shqyrton atë dhe vlerëson nëse është i nevojshëm edhe miratimi i saj në përputhje me nenin 42, të ligjit për koncesionet dhe PPP-të. Në rast se projekti nuk ka nevojë për mbështetje financiare, Ministria e Financave konfirmon vazhdimin e procedurave, brenda 10 ditëve pune nga paraqitja e projektit. Në rast se konfirmimi nuk paraqitet brenda 10 ditëve pune, atëherë, ai quhet i dhënë.
Gjithashtu, pika 1 e nenit 17 ndryshohet dhe përcakton se Ministria e Financave vlerëson dhe miraton paraprakisht të gjitha projektet koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP), nga pikëpamja e implikimeve fiskale, individuale apo në grup për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale, pavarësisht nga modeli i parashikuar i koncesionit/PPP dhe mënyra në të cilën ato janë nisur, d.m.th., propozim i kërkuar apo i pakërkuar. Nëse do të ketë ndryshime të mëtejshme në studimin e fizibilitetit pasi është paraqitur fillimisht për miratim në Ministrinë e Financave, autoritetet kontraktore duhet ta paraqesin sërish për miratim në Ministrinë e Financave për të verifikuar implikimet e mundshme fiskale.
I rëndësishëm është edhe ndryshimi i bërë në pikën 2 të nenit 22, sipas të cilit Autoriteti kontraktues, përpara dërgimit për miratim në Ministrinë e Financave të një projekti koncesioni/PPP, duhet të garantojë që kostot përkatëse të projektit janë të planifikuara të përballohen brenda buxhetit vjetor të miratuara nga Kuvendi, si dhe brenda tavaneve të shpenzimeve për periudhën afatmesme, të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Së fundi, vendimi ndryshon dhe pikën 1 të nenit 23 e cila tashmë përcakton se cdo ndryshim ose transferim i kontratës së koncesionit/PPP, i ndërmarrë në përputhje me ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat, duhet të dorëzohet në Ministrinë e Financave për miratim paraprak, e cila vlerëson dhe verifikon implikimet e mundshme fiskale të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta mbi buxhetin e autoritetit kontraktues, buxhetin e shtetit ose që ndryshon në çfarëdolloj mënyre mbështetjen financiare. Në rast se çdo ndryshim apo transferim i kontratës, i hartuar nga autoriteti kontraktues, nuk ka nevojë për mbështetje financiare, Ministria e Financave konfirmon vazhdimin e procedurave.