Ndryshime në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”
Fletorja Zyrtare nr. 20, datë 9 shkurt 2017
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me vendimin nr.5, datë 1.2.2017, vendosi miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”.
Sipas këtij vendimi, ndryshon përmbajtja e nenit 6 duke përcaktuar se Bankat llogarisin ekspozimet e ponderuara me rrezikun, si shumë e zërave të ekspozimeve dhe ekspozimeve të mundshme, të ponderuara me rrezikun e kredisë dhe rrezikun e kredisë së kundërpartisë; kërkesës për kapital për rrezikun e tregut dhe kërkesës për kapital për rrezikun operacional.
Pavarësisht përcaktimeve në paragrafin 1 të këtij neni, banka i shton totalit të aktiveve dhe të zërave jashtë bilancit të ponderuara me rrezikun vetëm vlerën pozitive që rezulton nga rritja e klasave në aktiv të bilancit “veprimet me thesarin dhe transaksionet ndërbankare” dhe “veprime në valutë me tituj” me jorezidentët të periudhës raportuese krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë, pasi të jetë zbritur vetëm vlera e shtuar e detyrimeve ndaj jorezidentëve në valutë të të njëjtave klasa të periudhës raportuese krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Përllogaritjet sipas përcaktimeve të mësipërme do të bëhen sipas formularit 1, aneksi 8.
Së fundi, ngarkohen Departamenti i Mbikëqyrjes dhe Departamenti i Statistikave Financiare me ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.