Ngritja e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm

Fletorja Zyrtare nr. 225, datë 22 dhjetor 2017

Me vendimin nr. 737, datë 13.12.2017, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, si person juridik publik, buxhetor, në varësi të Kryeministrit, me seli në Tiranë. Misioni i kësaj qendre është zhvillimi i kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në veprimet kundër ekstremizmit të dhunshëm, ruajtja dhe promovimi i vlerave të tolerancës dhe të harmonisë fetare, mbrojtja e të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, si dhe mbrojtja e shoqërisë shqiptare nga ekstremizmi i dhunshëm. Vendimi përcakton jo vetëm kompetencat e QKEDH-së, por edhe detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të drejtorit të qendrës, i cili emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Kryeministri. Për realizimin e detyrave QKEDH-ja ka buxhetin e saj, që krijohet nga buxheti i shtetit, të ardhurat nga donatorët vendës a të huaj dhe të ardhura të tjera të ligjshme.