Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10107, datë 30.3.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 79, datë 30 maj 2019

Më datë 8.5.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 27/2019 përmes të cilit bëhen disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10107/2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Një prej risive ka të bëjë pikërisht me krijimin e dy organeve këshillimore pranë ministrit përgjegjës për shëndetësinë, që janë konkretisht Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë si organ këshillimor për politikat e zhvillimit të sistemit shëndetësor dhe Këshilli Kombëtar i Pacientëve, i cili përfaqëson interesat e pacientëve. Për herë të parë është parashikuar auditimi klinik i institucioneve të kujdesit shëndetësor, i cili garanton kontroll lidhur me zbatimin e protokolleve të mjekimit. Gjithashtu, të gjitha institucionet e kujdesit shëndetësor, pas licencimit të veprimtarisë, duhet t’i nënshtrohen procesit  të  vlerësimit  të  përmbushjes së  standardeve  bazë  të  cilësisë  për  akreditim dhe, në rast se nuk i përmbushin këto standarde, institucioneve do t’iu pezullohet licenca. Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një sistemi unik elektronik të informacionit shëndetësor. Ndërsa lidhur me profesionistët e shëndetësisë, ligji në fjalë parashikon procedura transparente për pranimin e tyre në institucionet e kujdesit shëndetësor publik, si dhe detyrimin e tyre për t’iu nënshtruar edukimit të vazhdueshëm profesional.