Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12. 1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 73, datë 23 prill 2020

Më datë 23.4.2020, me aktin normativ nr. 18, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438/1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Së pari, akti normativ në fjalë parashikon se për tatimpaguesit me qarkullim deri në katërmbëdhjetë milionë lekë, këstet e tatim-fitimit të vitit 2020 nuk do të paguhen. Ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim mbi katërmbëdhjetë milionë lekë (përveç tatimpaguesve që ushtrojnë veprimtari në fushën e telekomunikacionit, veprimtarisë bankare, tregtimit të produkteve farmaceutike, të produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve, si dhe tatimpaguesve që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center), pagesat e kësteve të tatim-fitimit për tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit 2020 shtyhen në periudhën prill-shtator 2021. Për sa i përket tatimpaguesve që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center, pagesa e kësteve të tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020 shtyhen në periudhën prill-dhjetor 2021. Dhe së fundmi, gjithmonë në mënyrë përjashtimore, akti normativ shtyn edhe afatin për dorëzimin e deklaratës individuale të të ardhurave të realizuara në vitin 2019. Dorëzimi i kësaj deklarate dhe pagesa e detyrimit (nëse ka) do të duhet të bëhen jo më vonë se data 31 korrik 2020.