Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 725, datë 2.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”

Fletorja Zyrtare nr. 225, datë 22 dhjetor 2017

Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 739, datë 13.12.2017, vendosi të bëjë disa ndryshime dhe shtesa në vendimin e tij nr. 725, date 2.9.2015. Me ndryshimet e kryera në vendimin nr. 725 të 2015, Agjencia e Zhvillimit të Territorit kalon në varësi të Kryeministrit. Si rrjedhojë, tani Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Zhvillimit të Territorit emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga detyra me urdhër të Kryeministrit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi. Ndërsa, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, i cili është, njëkohësisht, drejtor i një drejtorie, emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Gjithashtu, disa ndryshime janë kryer edhe në shkronjën “dh” dhe “ë”, të pikës 1, të kreut III, ku fjalët “…regjistrit të integruar të territorit…”, zëvendësohen me “…sistemit elektronik të lejeve…”. Së fundi, vlen të përmendim përgjegjësinë e re që i shtohet Agjencisë së Zhvillimit të Territorit për të përfaqësuar Këshillin Kombëtar të Territorit, në të gjitha çështjet objekt shqyrtimi gjyqësor, që kanë lidhje me vendimet e miratuara dhe procedurat e kryera nga Këshilli Kombëtar i Territorit.