Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 304, datë 15.7.2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar
Fletorja Zyrtare nr. 142, datë 22 tetor 2019
Më datë 9.10.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin nr. 68/2019, përmes të cilit janë kryer disa ndryshime në ligjin nr. 10 304/2010, “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Ndër ndryshimet që sjell ky ligj është parashikimi se veprimtaritë studimore-kërkimore në fushën minerare mund të kryhen vetëm nga subjektet të cilët regjistrojnë në regjistrin tregtar, si objekt veprimtarie, ushtrimin e veprimtarisë studimore-projektuese në fushën minerare. Gjithashtu, ligji parashikon se këta subjekte duhet të kenë të punësuar persona të certifikuar për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese, duke mos qenë kështu më e nevojshme pasja e një license për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese në fushën minerare. Së fundmi, parashikohet se licencat për kryerjen e veprimtarive studimore-projektuese në fushën minerare, që janë lëshuar para se ky ligj të hynte në fuqi, do të kenë vlefshmëri deri në përfundim të afatit për të cilin janë lëshuar.