Për disa ndryshime në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas sistemit raportues të unifikuar”

Fletorja Zyrtare nr. 66, datë 9 maj 2018

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me vendimin nr. 36, datë 2.5.2018, vendosi të bëjë disa ndryshime në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas sistemit raportues të unifikuar”.

Një prej ndryshimeve më të rëndësishme ka prekur nenin 5, pika 1, duke përcaktuar se sistemet raportuese përbëhen nga formularët e përcaktuar në anekset 1, 2 dhe 3 bashkëlidhur kësaj rregulloreje, të detyrueshëm për t’u plotësuar dhe për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë nga subjektet raportuese. Formularët e lartpërmendur ndryshojnë edhe formularët e mëparshëm të kësaj rregulloreje.

Ndryshim tjetër është bërë në nenin 8, ku fjala “dorëzimin” zëvendësohet me fjalën “raportimin”.

Ndërsa lidhur me mënyrën e raportimit tashmë parashikohet se subjektet raportuese dërgojnë informacionin sipas formularëve dhe në afatet e përcaktuara në ketë rregullore, në mënyrë elektronike nëpërmjet Sistemit Elektronik Raportues Rregullator. Gjithashtu, këta subjekte dërgojnë me shkrim pranë Departamentit të Statistikave Financiare në Bankën e Shqipërisë, edhe listën e punonjësve të autorizuar për plotësimin, kontrollin dhe dërgimin e raportimeve. Edhe ndryshimet e mëvonshme në listën e punonjësve të autorizuar për raportim duhet të njoftohen pranë të njëjtit Departament.