Për disa ndryshime në rregulloren “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurave për administrimin e tij”

Fletorja Zyrtare nr. 5, datë 24 janar 2020

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me vendimin nr. 2, datë 17.1.2020, vendosi të kryejë disa ndryshime në rregulloren “Për fondin e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe procedurave për administrimin e tij”. Konkretisht, është shtuar parashikimi se për qëllime të përllogaritjes së kontributit vjetor që paguajnë bankat për plotësimin e nivelit vjetor të Fondit të lartpërmendur, bankat raportojnë brenda muajit shtator të  çdo  viti të dhënat mbi aktivet dhe  kapitalin  rregullator, sipas pasqyrave financiare të audituara të vitit paraardhës. Gjithashtu, lidhur me njoftimin dhe pagesën e kontributit vjetor të lartpërmendur, vendimi parashikon se urdhri për pagimin e kontributit vjetor bëhet me shkresë zyrtare me postë të regjistruar brenda muajit mars të çdo  viti kalendarik. Lidhur me shkëmbimin e informacionit, vendimi parashikon se Agjencia e Sigurimit të Depozitave raporton çdo tre muaj pranë Bankës së Shqipërisë mbi veprimtarinë investuese, përbërjen e portofolit të mjeteve financiare dhe gjendjen e Fondit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si dhe çdo vit mbi veprimtarinë vjetore të investimit. Këto raportime do të kryhen brenda afateve të përcaktuara në vendimin në fjalë. Dhe së fundmi, përjashtimisht, për vitin 2020, për përllogaritjen e peshës së detyrimeve të bankave lidhur me kontributin vjetor, do të zbatohet formula e parashikuar në këtë vendim.