Për disa ndryshime në Rregulloren për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare

Fletorja Zyrtare nr. 57, datë 24 prill 2018

Më datë 4.4.2018, me vendimin nr. 27, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të bëjë disa ndryshime në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”.

Së pari, ndryshimet kanë prekur nenin 5, pika 2, të cilit i shtohen shkronjat “j” dhe “k”. Sipas shkronjës “j”, termi “paketë e kombinuar” nënkupton kredinë që i ofrohet konsumatorit së bashku me produktet ose shërbimet  e tjera të dallueshme financiare, të lidhura me kredinë e ofruar. Ndërsa termi “paketë e agreguar” nënkupton kredinë që i ofrohet konsumatorit edhe e veçuar nga produkte ose shërbime të tjera të dallueshme financiare.

Së dyti, një sërë ndryshimesh kanë prekur edhe nenet 6 dhe 7. Konkretisht, këto ndryshime kanë të bëjnë me të drejtën e konsumatorit për të konvertuar monedhën e kredisë në një monedhë tjetër, dhe gjithashtu me të drejtën për të zëvendësuar  sendin apo pasurinë e dhënë si garanci për mospagimin e kredisë, sipas kushteve për ta përfituar këtë të drejtë. Gjithashtu, është shtuar parashikimi se në kreditë me norma të ndryshueshme interesi, indeksi që përdoret për të llogaritur normën e interesit duhet të jetë i qartë, i përdorshëm, objektiv dhe i verifikueshëm në çdo rast, nga palët e kontratës së kredisë.

Gjithashtu, rregullores në fjalë i janë shtuar nenet 9/1 dhe 9/2, të cilët respektivisht përmbajnë rregulla mbi të drejtën e konsumatorit për të konvertuar monedhën e kredisë në monedhën në të cilën gjeneron të ardhura dhe rregulla mbi paketat e kombinuara dhe të agreguara që ofron Banka për konsumatorët.