Për disa ndryshime në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave”

Fletorja Zyrtare nr. 47, datë 6 prill 2018

 

Më datë 28.3.2018, me vendimin nr. 24, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të bëjë disa ndryshime në rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave”, miratuar me vendimin e tij të mëparshëm nr. 37, datë 25.6.2014.

Së pari, në nenin 4, pika 1, lidhur me përbërjen e Komitetit, ka ndryshuar shkronja “e” që në versionin aktual parashikon se anëtarë me të  drejtë  vote janë  edhe “një ose më shumë përfaqësues në nivel ekzekutiv nga ministritë, të cilat mbulojnë funksionet në vijim, në cilësinë e anëtarit: i) thesarin e shtetit; ii) të drejtën për të propozuar akte ligjore të hartuara nga Banka e Shqipërisë; iii) mbrojtjen e konsumatorit; iv) regjistrin e gjendjes civile; v) luftën kundër krimit kibernetik; vi) inovacionin dhe digjitalizimin e shërbimeve publike (e-government); vii) dërgesat e emigrantëve; viii) si dhe funksione të tjera të cilat në varësi të objektivave dhe projekteve mund të ndërlidhen me funksionin e Komitetit.”.

Së dyti, në nenin 4, shkronjat “f”, “g” dhe “h” shfuqizohen.

Gjithashtu, nenit 4, pika 1, i shtohet shkronja “l” me përmbajtje si më poshtë: “një përfaqësues në nivel ekzekutiv nga institucionet financiare jobanka, të cilat kryejnë veprimtarinë e transfertave dhe pagesave dhe/ose të parasë elektronike dhe operatorët e infrastrukturës, të licencuar në bazë të ligjit “Për sistemin e pagesave”, në cilësinë e anëtarit; përfaqësuesit mund të marrin pjesë në mbledhje me përfaqësim ose në formë individuale.”.

Ndryshim tjetër është kryer në pikën 3 të nenin 4, e cila në versionin aktual parashikon se në mbledhjen e Komitetit, në varësi të tematikave të përcaktuara në rendin e ditës, mund të marrin pjesë si vëzhgues aktorë të tjerë kryesorë të sistemit të pagesave dhe infrastrukturës së tregjeve financiare të tillë si: shoqëritë utilitare, shoqëritë e telekomunikacionit, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës, ekspertë të huaj të fushës së sistemeve apo shërbimeve të pagesave etj.

Një ndryshim tjetër ka të bëjë me adresën elektronike të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, e cila ndryshon nga komiteti@bankofalbania.orgkomitetiKSP@bankofalbania.org.

Së fundi, është ndryshuar edhe pika 1 e nenit 6, që tashmë parashikon se Komiteti mblidhet si rregull të paktën 1 herë në vit, si dhe me kërkesë të anëtarëve me të drejtë vote, të përcaktuar në nenin 4, pika 1, sa herë gjykohet e nevojshme.