Për disa ndryshime në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”

Fletorja Zyrtare nr. 66, datë 9 maj 2018

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë me vendimin nr. 34, datë 2.5.2018, vendosi miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”.

Sipas këtij vendimi, shfuqizohet pika 2 e nenit 6 e cila parashikonte se, lidhur me ekspozimet e ponderuara me rrezikun, banka i shton totalit të aktiveve dhe të zërave jashtë bilancit të ponderuara me rrezikun vetëm vlerën pozitive që rezulton nga rritja e klasave në aktiv të bilancit “veprimet me thesarin dhe transaksionet ndërbankare” dhe “veprime në valutë me tituj” me jorezidentët të periudhës raportuese krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë, pasi të jetë zbritur vetëm vlera e shtuar e detyrimeve ndaj jorezidentëve në valutë të të njëjtave klasa të periudhës raportuese krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Gjithashtu është shfuqizuar edhe parashikimi se përllogaritjet e përcaktimeve të mësipërme bëhen sipas formularit 1, të aneksit 8.

Së fundmi, është ndryshuar formulari 9 i aneksit 7, si dhe është shfuqizuar Aneksi 8 i rregullores.