Për disa ndryshime në vendimin Nr. 199, datë 11.1.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për masën e financimit, kriteret dhe procedurat e zbatimit të programit të nxitjes së punësimit të punëkërkuesve të papunë të rinj”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 45, datë 3 prill 2018

 

Më datë 28.3.2018, me vendimin nr. 177, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa ndryshime në vendimin e tij të mëparshëm nr. 199/2012.

Konkretisht, sipas ndryshimit të parë, kudo në vendim, emërtimet “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohen, përkatësisht, me “… ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe formimit profesional …” dhe “… struktura përgjegjëse e ndihmës shtetërore …”.

Ndryshimi i dytë është kryer në pikën 4, që tashmë parashikon se punëdhënësit, për përfitimin sipas pikës 1, të vendimit nr. 199/2012 , duhet të paraqesin pranë zyrës së punësimit ose të ngarkojnë në mënyrë elektronike dokumentet e mëposhtme: a) Vetëdeklarimin dhe autorizimin për të lejuar nëpunësin përgjegjës të gjenerojë online dokumentacionin e nevojshëm; b) Planin e biznesit të detajuar; c) Dokumentacionin justifikues për rastet e detyrimeve ndaj organeve tatimore, por që vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program: i) kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre; ii) kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat; iii) kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore.

Ndryshim tjetër është kryer në pikën 5, që në versionin aktual parashikon se zyra përkatëse e punësimit duhet të sigurojë për secilin punëdhënës aplikues dokumentacionin e mëposhtëm: a) Ekstraktin historik të personit fizik apo juridik, që aplikon për programin, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit; b) Vërtetimin për pagimin e detyrimeve tatimore; c) Vërtetimin për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesit, të specifikuar për tre muajt e fundit. Zyra përkatëse e punësimit është përgjegjëse për plotësimin e dosjes së aplikimit.

Dhe së fundi është ndryshuar pika 22, sipas të cilës programi do të fillojë të zbatohet gjatë vitit 2018 dhe kohëzgjatja e tij do të jetë 5 (pesë) vjet.