Për disa ndryshime në vendimin Nr. 248, datë 30.4.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për programin e nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuara”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 45, datë 3 prill 2018

 

Më datë 28.3.2018, me vendimin nr. 173, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa ndryshime në vendimin e tij të mëparshëm nr. 248/2014.

Sipas ndryshimit të parë, kudo në vendim emërtimet “Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë” dhe “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes” zëvendësohen, përkatësisht, me “ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe formimit profesional” dhe “struktura përgjegjëse e ndihmës shtetërore”.

Ndryshimi i dytë është kryer në pikën 12, që në versionin aktual parashikon se për të përfituar nga ky program, punëdhënësi duhet të paraqesë pranë zyrës së punësimit ose të ngarkojë në mënyrë elektronike këto dokumente: a) Vetëdeklarimin dhe autorizimin për të lejuar nëpunësin përgjegjës të gjenerojë online dokumentacionin e nevojshëm; b) Planin e biznesit, të detajuar; c) Dokumentacionin justifikues për rastet e detyrimeve ndaj organeve tatimore, por që vërtetojnë se në momentin e aplikimit në këtë program: i) kanë lidhur marrëveshjet përkatëse për shlyerjen e këtyre detyrimeve dhe janë të rregullt në shlyerjen e tyre; ii) kanë shlyer detyrimet, por kanë ende pa paguar gjobat; iii) kanë shlyer detyrimet ose kanë vendosur garanci bankare për shumën e plotë të detyrimit, në përputhje me nenin 107, të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe janë në proces të apelimit administrativ dhe në procese gjyqësore me organet tatimore.

Dhe ndryshimi i fundit është kryer në pikën 13, e cila tashmë parashikon se zyra përkatëse e punësimit duhet të sigurojë për secilin punëdhës aplikues këtë dokumentacion: a) Ekstraktin historik të personit fizik apo juridik, që aplikon për programin, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit; b) Vërtetimin për pagimin e detyrimeve tatimore; c) Vërtetimin për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesit, të specifikuar për tre muajt e fundit. Zyra përkatëse e punësimit është përgjegjëse për plotësimin e dosjes së aplikimit.