Për disa rregulla të veçanta për punëmarrësit e përkohshëm, të cilët punësohen nga agjencitë e punësimit të përkohshëm
Fletorja Zyrtare nr. 76, datë 28 maj 2018
Më datë 21.5.2018, me vendimin nr. 286, Këshilli i Ministrave vendosi disa rregulla të veçanta për punëmarrësit e përkohshëm.
Konkretisht, punëmarrësi i përkohshëm punësohet nga një agjenci për punësim të përkohshëm pasi nënshkruan një kontratë pune me këtë agjenci për punësimin e tij pranë një ndërmarrjeje pritëse, e cila lidhet për një periudhë kohe jo më shumë se 2 vjet. Për punësimin e tij, punëmarrësi nuk i paguan agjencisë së lartpërmendur asnjë tarifë.
Agjencia vendos punësimin e përkohshëm të punëmarrësit, në bazë të një marrëveshje punësimi me ndërmarrjen pritëse, kur ka rritje të vëllimit të punës (në mënyrë të përkohshme), kur duhet zëvendësuar një punëmarrës i cili mungon përkohësisht, apo kur duhet të realizohen projekte me afate të përcaktuara ose projekte
jashtë veprimtarisë që kryen ndërmarrja pritëse.
Vendimi parashikon se me anë të punësimit të përkohshëm nuk mund të zëvendësohen punëmarrësit që ushtrojnë të drejtën e grevës. Gjithashtu, ndalohet punësimi i përkohshëm kur puna paraqet rrezik për shëndetin dhe sigurinë e punëmarrësit, si dhe kur punëdhënësi, gjatë 6-mujorit të fundit ka kryer largime nga puna të punëmarrësve me të njëjtin profesion, për arsye ekonomike ose, gjatë 12-mujorit të kaluar, ka kryer largime kolektive nga puna, për të njëjtat profesione.
Së fundmi, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore duhet të kryejë inspektime periodike, në mënyrë që të përcaktojë përputhshmërinë e veprimtarisë së agjencisë me legjislacionin përkatës.