Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 184, datë 31 dhjetor 2019

Më datë 18.12.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 84/2019, i cili, ndër të tjera, parashikon një sërë incentivash për biznesin. Së pari, me qëllim rritjen e eksportit, ky ligj parashikon se tatimpaguesëve eksportues të cilët në 3 vitet e fundit kanë realizuar 70% të të ardhurave nga eksporti, shpenzimet e dokumentuara të kryera për pjesëmarrje, prezantim në panaire apo ekspozita jashtë vendit do t’u njihen si shpenzime të zbritshme deri në masën 3% të qarkullimit vjetor. Gjithashtu, me qëllim promovimin e sportit, ligji në fjalë parashikon se shumat e sponsorizuara në fushën e sportit nga personat juridikë që realizojnë fitim vjetor të tatueshëm mbi 100 milionë lekë, për efekt të përllogaritjes së tatimit mbi fitimin, do të njihen si shpenzime të zbritshme sa trefishi i shumës së sponsorizuar. Një tjetër lehtësi fiskale për biznesin sjell edhe parashikimi sipas të cilit tatimpaguesit, të cilët investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 milard lekë, mund t’i mbartin humbjet e realizuara për një periudhë 5-vjeçare. Dhe së fundmi, me qëllim nxitjen e investimeve në sektorin e industrisë automotive, ky ligj parashikon se për bizneset që veprojnë në këtë sektor norma e tatimfitimit do të jetë 5%.