Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.730, datë 20.10.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores për kushtet, kriteret, tarifat, afatet dhe procedurën për klasifikimin e strukturave akomoduese”, të ndryshuar

Fletorja Zyrtare nr. 89, datë 21 qershor 2019

Më datë 19.6.2019, me vendimin nr. 415, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e tij të mëparshëm nr.730/2016, të ndryshuar.

Së pari, është shtuar parashikimi se rregullorja ka si objekt, jo më vetëm përcaktimin e kushteve dhe kritereve për klasifikimin e strukturave akomoduese, por edhe përcaktimin e kushteve dhe kritereve për kategorizimin e tyre në bujtina, fjetina, kamping, hotel, motel, resort, qendër kurative apo  fjetje dhe mëngjes. Për më tepër, sipas ndryshimeve në fjalë, dokumenti i kategorizimit përkufizohet si certifikata që lëshohet nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike për përmbushjen e kritereve lidhur me llojin e strukturës akomoduese. Dhe gjitashtu, lidhur me dokumentin e kategorizimit, tashmë parashikohet se çdo sipërmarrës turistik që ushtron veprimtarinë si strukturë akomoduese duhet të pajiset me dokument kategorizimi për të përfituar nga lehtësitë fiskale.

Së fundi, vlen të përmendim edhe parashikimin se, në mënyrë përjashtimore deri në nënshkrimin e marrëveshjes me agjenci apo organiza ndërkombëtare të mirënjohura në fushën e vlerësimit të strukturave akomoduese, verifikimi dhe vlerësimi i strukturave akomoduese me 4 apo 5 yje, që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht, do të bëhet nga vetë ministria përgjegjëse për turizmin, me kërkesë të sipërmarrësit.