Për disa shtesa në vendimin nr. 547, datë 9.8.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore”, të ndryshuar
Fletorja Zyrtare nr. 84, datë 8 qershor 2018
Më datë 6.6.2018, me vendimin nr. 332, Këshilli i Ministrave vendosi të bëjë disa shtesa në vendimin e tij të mëparshëm nr. 547/2006, të ndryshuar.
Konkretisht, është shtuar parashikimi se Agjencia e Burimeve Natyrore ka për detyrë të monitorojë prodhimin e energjisë elektrike, monitorim i cili do të kryhet çdo 5 vjet. Gjithashtu, shtohet edhe parashikimi se Agjencia e lartpërmendur në bashkëpunim me ekspertë vlerësues të pavaruar, do të ndjekë procesin e vlerësimit të investimeve të kryera për projektet e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike. Më pas raporti përfundimtar i vlerësimit miratohet nga Autoriteti kontraktues, ndërsa ekspertët vlerësues duhet të paguhen prej subjektit që realizon projektin e ndërtimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike.