Për faljen e masave administrative, me karakter ndëshkues, të vendosura gjatë periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore

Fletorja Zyrtare nr. 178, datë 9 tetor 2020

Më datë 7.10.2020, me aktin normativ nr. 31, Këshilli i Ministrave vendosi të falë të gjitha gjobat, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse, për shkeljen e rregullave të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, nga data 17 prill 2020 deri në datën 7 tetor 2020. Gjithashtu, përmes këtij akti normativ falen edhe gjobat e vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj familjeve të dëmtuara nga tërmetet e datave 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin apo rindërtimin e banesave individuale. Sipas aktit normativ, kthimi i shumës së gjobës së falur, por të paguar, duhet të kalohet në llogarinë bankare të subjektit përfitues ose, në mungesë të saj, kjo shumë i dërgohet institucionit shtetëror që ka vendosur gjobën për t’ia dorëzuar subjektit përfitues. Kthimi i shumave duhet të bëhet brenda datës 15 nëntor 2020. Dhe së fundmi, brenda së njëjtës datë duhet të kthehen te subjekti përfitues edhe lejet/licencat apo mjetet e bllokuara në zbatim të masave administrative.