Për kadastrën

Fletorja Zyrtare nr. 28, datë 6 mars 2019

Më datë 7.2.2019, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi të miratojë ligjin nr.  111/2018 “Për kadastrën”. Ligji në fjalë bashkon Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekën), Agjencinë e Legalizimit Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP) në një institucion të vetëm, që është Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Si rrjedhojë, ligji përmban një sërë dispozitash lidhur me krijimin, organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni të ri. Gjithashtu, ligji përmban edhe dispozita të tjera që kanë për qëllim organizimin e regjimit kadastral të shtetit, regjistrimin e pronave të paluajtshme private, shtetërore dhe publike dhe të të drejtave reale mbi to, si dhe  përmirësimin dhe përditësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme. Së fundmi, ligji parashikon edhe një falje të kamatëvonesave për pronat e paregjistruara në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Lidhur me aspektin e fundit,  të gjithë subjektet që nuk i kanë regjistruar pronat e tyre brenda 30 ditëve nga realizimi i aktit që sjell ndryshime apo përfitime të të drejtave të pronësisë do të kenë edhe 30 ditë afat, duke filluar nga hyrja në fuqi e këtij ligji që përkon me datën 22 mars 2019, për të aplikuar për regjistrim vetëm duke paguar tarifën aktuale për regjistrimin e aktit. Pra, nëse aplikohet brenda afatit të lartpërmendur, të gjitha kamatëvonesat që janë gjeneruar nga sistemi deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji për shkak të mosaplikimit në kohë për regjistrim do të shuhen.