Për krijimin dhe përcaktimin e formës ligjore dhe të strukturës së pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut

Fletorja Zyrtare nr. 73, datë 21 maj 2019

Më datë 15.5.2019, me vendimin nr. 322, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e Operatorit të Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), në formën e një shoqërie aksionare, e cila do të jetë e ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga Operatori i Sistemit të Transmetimit sh.a. dhe do të veprojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri.  Gjithashtu, vendimi parashikon se me krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë, do të nisë edhe procesi i pjesëmarrjes në kapitalin e Operatorit të Tregut, nëpërmjet një procedure konkurrimi, i operatorëve të tjerë të sistemit të transmetimit që veprojnë në Bashkimin Evropian ose në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, operatorëve që kanë përvojë ndërkombëtare lidhur me tregjet e shkëmbimit të energjisë elektrike, të cilët veprojnë në Bashkimin Evropian ose  në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, i subjekteve me përvojë në tregtimin e energjisë elektrike në Bashkimin Evropian  ose  në vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë, si dhe i institucioneve financiare ndërkombëtare.