Për krijimin e bazës të të dhënave shtetërore “Sistemi i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit – EACIDS”
Fletorja Zyrtare nr. 77, datë 28 prill 2020
Më datë 22.4.2020, me vendimin nr. 330, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë Sistemin e Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit-EACIDS, pra, një bazë të dhënash shtetërore pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (në vijim ILDKPKI). Kjo bazë të dhënash do të përmbajë të dhënat që vetëdeklarohen nga individët që janë subjekt deklarimi, të quajtura të dhëna parësore, dhe të dhënat që merren nga ndërveprimi me bazat e të dhënave të informacionit pranë institucioneve të tjera, të quajtura të dhëna dytësore. Ky sistem elektronik do të mund të aksesohet nga individët që janë subjekt deklarimi dhe nga personat e lidhur me ta, nga ku mund të kryejnë deklarimin, nga ILDKPKI-ja e cila do të duhet jo vetëm ta krijojë këtë bazë të dhënash, por edhe ta mbajë dhe administrojë atë, si dhe nga çdo person i cili është i interesuar për të lexuar ose marrë informacionin e publikuar në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.