Për krijimin e Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja Start-up

Fletorja Zyrtare nr. 60, datë 27 prill 2018

Më datë 20.4.2018, me vendimin nr. 210, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë Fondin në Mbështetje të Sipërmarrjeve të Reja Start-up, për një periudhë zbatimi prej 3 vjetësh, me vlerë të përgjithshme 30 000 000 lekë.

Pra, ky Fond ka si qëllim të mbështesë ndërmarrjet  e sapokrijuara, të cilat janë në kërkim të tregjeve. Përfitojnë nga Fondi i lartpërmendur, ndërmarrjet e vogla, që kanë selinë ose vendin kryesor të prodhimit brenda territorit të vendit dhe që kanë një plan biznesi ose një projekt. Gjithashtu, këto ndërmarrje duhet të krijojnë, minimalisht, një vend të ri pune, brenda 12 muajve, nga momenti i përfitimit të fondit, si dhe duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorët prodhues e të shërbimit, të industrisë së lehtë, turizmit, në fushën e kërkimit dhe të zhvillimit, në procesin e agropërpunimit, në fushën e dizenjimit, të modelimit dhe të artizanatit, si dhe që janë të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për një periudhë 0–2 vjet.

Fondi i lartpërmendur mbulon 70% të kostove të miratuara nga komisioni që vlerëson projektin konkurrues, por jo më shumë se 500 000 lekë. Pagesa e tij bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në fund të përfundimit të projektit, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.

Dhe së fundmi, vendimi parashikon se procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit në Mbështetje të Sipërmarrjeve të reja Start-up, e cila miratohet me urdhër të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.