Për krijimin e Fondit të Inovacionit

Fletorja Zyrtare nr. 60, datë 27 prill 2018

Më datë 20.4.2018, me vendimin nr. 211, Këshilli i Ministrave vendosi të krijojë Fondin e Inovacionit, me vlerë të përgjithshme prej 45 000 000 lekësh, për një kohëzgjatje zbatimi prej 3 vjetësh, për periudhën 2018–2020.

Ky Fond ka si qëllim përmirësimin e teknologjisë dhe nxitjen e inovacionit për ato ndërmarrje që klasifikohen si biznese mikro, kanë selinë e tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe atyre që prodhojnë në Shqipëri produkte dhe/apo ofrojnë shërbime inovative, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit. Për të përmbushur qëllimin e mësipërm, parashikohet se  Fondi do të mbulojë 50% të kostove të miratuara nga komisioni që vlerëson projektin konkurrues, si dhe financim deri në 400 000 lekë. Ndërsa ndërmarrjet që do të aplikojnë për “blerje pajisjesh teknologjike” financimi do të jetë jo më shumë se 600 000 lekë.

Gjithashtu, pagesa e fondit bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në përfundim të tij, kundrejt faturës së shpenzimeve të kryera.

Dhe së fundmi, vendimi parashikon se procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve përcaktohen në rregulloren e funksionimit të Fondit të Inovacionit, e cila miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për ekonominë.