Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës

Fletorja Zyrtare nr. 6, datë 25 janar 2019

Më datë 23.01.2019, me vendimin nr. 36, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë marrëveshjen, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila ka për qëllim bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës. Për të arritur këto qëllime, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës do të bashkëpunojnë në mënyrë që të nxisin dhe ndihmojnë në krijimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Diasporës Shqiptare, si dhe të Dhomës së biznesit të Diasporës në Tiranë dhe Prishtinë. Gjithashtu, ata do të ndihmojnë nismën e krijimit në Tiranë dhe Prishtinë të Bankës së Diasporës nga rrjetet e biznesit të komuniteteve shqiptare të diasporës shqiptare. Dhe, së fundmi subjektet e lartpërmendur do të angazhohen në realizimin e një stacioni televiziv të përbashkët kushtuar interesave të komuniteteve shqiptare në diasporë.