Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunim në fushën e shëndetësisë

Fletorja Zyrtare nr. 27, datë 19 shkurt 2021

Më datë 17.2.2021, me vendimin nr. 95, Këshilli i Ministrave vendosi të miratojë një marrëveshje bashkëpunimi me Republikën e Turqisë në fushën e shëndetësisë. Marrëveshja në fjalë ka për qëllim të mbështetë dhe përmirësojë shkëmbimin e njohurive, përvojës, shërbimeve dhe teknologjisë midis dy vendeve në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë dhe konsiston në një përpjekje të Palëve të kësaj Marrëveshjeje për të forcuar sistemet dhe politikat e tyre shëndetësore. Në funksion të sa më sipër, të dyja vendet do të shkëmbejnë informacione në fushën e shëndetësisë, do të kryejnë vizita reciproke, do të zhvillojnë projekte pune të përbashkëta, do të sigurojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përkatëse shëndetësore, si dhe do të organizojnë seminare, trajnime dhe aktivitete të tjera shkencore. Gjithashtu, marrëveshja parashikon se Republika e Turqisë do të vazhdojë ofrimin e trajtimit falas për 100 pacientë në vit, të cilët nuk janë në gjendje të marrin trajtim në klinikat në Shqipëri.